Secondary Adv

Hapet Panairi i Punes 2024, 47 institucione dhe biznese me oferta pune

Punësim, praktika profesionale dhe trajnim, këto janë disa nga mundësitë që “Panairi i Punës 2024” ofron për të rinjtë.

 

Për të tretin vit radhazi, Fakulteti i Histori-Filologjisë dhe ai i Gjuhëve të Huaja organizojnë një panair që synon të afrojë studentët me tregun e punës duke i ofruar mundësi bashkëpunimi me institucione publike ose private, organizata, biznese turistike, drejtoritë e arkivave, media të ndryshme dhe shtëpi botuese.

 

Gjatë këtij eventi, kompanitë, organizatat dhe institucionet mund të intervistojnë dhe vlerësojnë drejtpërsëdrejti kandidatët potencialë për punë ose praktikë profesionale.

 

“Janë rreth 47 biznese, institucione të ndryshme arsimore, banka, shtëpi botuese, agjenci përkthimesh, agjenci të turizmit apo të kurseve private që kërkojnë studentë për t’u punësuar si mësues, përkthyes, interpretë, specialistë të komunikimit, burimeve njerëzore, marrëdhënieve me publikun apo guida të ndryshme.

 

Bizneset po afrohen gjithnjë e më tepër me institucionet e arsimit të lartë, prezente sot janë edhe shumë banka të cilët kërkojnë studentë të shkencave shoqërore për t’i punësuar në sektorë që lidhen me profesionin e tyre”.

 

Zëvendësdekania e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Elsa Skënderi theksoi që panairi është shumë i rëndësishëm për të vendosur një urë komunikimi midis mundësive të tregut të punës dhe studentëve në fillesa ose një hap larg karrierave përkatëse që do të ndjekin në jetën e tyre profesionale.

 

Punësimi mbetet ndër sfidat kryesore për të rinjtë, të cilët me mbarimin e studimeve shpeshherë e gjejnë veten jashtë tregut të punës ose larg profesionit të tyre.

 

Universitetet po tentojnë gjithnjë e më tepër lidhjen e punëdhënësit me punëmarrësin, për të zvogëluar hendekun mes asaj që ofron tregu, me kërkesat apo formimin akademik të të rinjve.

 

Sipas të dhënave nga INSTAT, në tremujorin e fundit të 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri për popullsinë 15 vjeç e lart është 10,7 %, duke u rritur me 0,2 %, krahasuar me një tremujor më parë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat